
Victor Da Silva vijon të jetë në qendër të vëmendjes, jo për paraqitjen në fushë, por për shkak të mungesës si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje zyrtare siç ishin ato të Conference League. Për brazilianin ka një sërë prapaskenash.
Siç raporton shtypi i shkruar, agjenti i tij ka çuar klubin e Vllaznisë në Federatën Shqiptare të Futbollit për të kërkuar rrogat e prapambetura. Më saktë është kërkuar nga përfaqësuesi i tij se çdo të ndodhë me pagën e lojtarit, i cili pretendonte 5 të tilla të pamarra.
Fillimisht u kërkua informacion nga klubi i Vllaznisë, por shkodranët nuk e informuan në rrugë zyrtare. Kësisoj agjenti i tij u detyrua të shkonte në FSHF. Automatikisht Da Silvës i lindte e drejta për të prishur kontratën e me të mësuar këtë, drejtuesit e Vllaznisë reaguan duke e likuiduar pjesërisht. Më pas, ai udhëtoi drejt Serbisë për t'iu bashkuar ekipit në fazë përgatitore.