
Ishte caktuar dhe parashikuar të ishte një ndeshje futbolli dueli mes Tiranës dhe Partizanit. Por kjo sfidë ka kaluar çdo cak të një dueli sportiv. Tifozët bardheblu, konkretisht "Capital Crew" kanë tentuar të krijojnë një ngjarje makabre ku sot do të mund të flitej për një katastrofë të madhe. Tifo-grupi i krijuar së fundmi kishte hapur disa gropa përballë ultrasve të kuq duke futur në të sasi të konsiderueshme mjetesh pyroteknike, të barasvlefshme me dy bomba artizanale.
Para fillimit të takimit pati një përplasje të tifozëve bardheblu me ata të Partizanit dhe gjithçka u konsiderua si e zakontë. Por newsport.al ka mësuar të gjithë zanafillën e ngjarjes së turpshme. Policia ka hyrë në stadium rreth orës 16:00 dhe menjëhërë ka pikasur një fitil që përfundonte te grupimi në fjalë. Pasi ka krehur zonën është vërejtur kurthi i ngritur nga tifozët bardheblu.
Menjehërë është raportuar ngjarja në organet e policisë, ku ka nxituar të shohë nga afër situatën drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu së bashku me atë të Tiranës Rebani Jaupi. Më vonë është thirrur anti-terrori qe ka bërë të mundur shmangien e katastrofës. Burime për newsport.al pranë policisë së shtetit tregojnë se ngjarja është mbajtur e fshehtë për të mos përhapur panik dhe nga frika e largimit të tifozëve nga stadiumi. Situata u vu menjëhërë nën kontroll dhe kësisoj u lejua të luhej sfida. Megjithatë pas mbarimit të saj ka pasur nje takim të drejtuesve të policisë me drejtuesit e Tiranës. Klubi bardheblu ka vënë në dispozicion të gjitha pamjet filmike për të zbuluar skenarin e plotë të ngjarjes.
Më pas rreth orës 1 të natës është thirrur në polici drejtori i stadiumit, Ksenofon Haskocela që ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Po në atë orë ka pasur një të arrestuar nga uniformat blu dhe janë shpallur në kërkim disa të tjerë. Burime pranë policisë bëjnë me dije për newsport që nëse skenari i tifozëve bardheblu do të ishte realizuar, sot do të flisnim për qindra policë dhe tifozë të plagosur. Nga ana e uniformave blu është konsideruar akt i mirëfilltë terrorist dhe tashmë po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /Newsport.al/