Partizani ende s’ka zgjedhur trajnerin që do ta drejtojë në Kupat e Europës, por edhe në sezonin e ri futbollistik. Shumë emra janë përfolur, megjithatë deri më tani s’ka asgjë zyrtare. Një nga trajnerët që u aludua për të drejtuar pankinën e kuqe ishte Zdenek Zeman. 72-vjeçari u kontaktua nga kampionët e Shqipërisë, mirëpo kërkesat e tij kanë qenë shumë larg nivelit të kampionatit tonë.
Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije që Zeman ka kërkuar një pagë stratosferike, por gjithashtu pranë vetes ka dashur një staf mjaft të zgjeruar. Duke nisur nga ndihmësi e deri te përgatitësi apo edhe stafi mjekësor.
Gjithçka ka theksuar se do të zgjidhet nga ai. Mirëpo financat e klubit të Partizanit ende s’janë në nivelet e pretenduara nga trajneri legjendar. Tashmë pritet me interes të shihet se cili do të jetë njeriu që do të zgjidhet për të drejtuar të kuqtë në të ardhmen. /Newsport.al/