Donjet Shkodra është afrimi i parë i Kukësit në këtë merkato dimri. Ish-mesfushori i Skënderbeut u zyrtarizua ditën e djeshme te kampionët e Shqipërisë dhe tashmë është gati për të dhënë kontributin e tij me skuadrën verilindore. Por, për kalimin e 28-vjeçarit te Kukësi ka pasur disa prapaskena.
Newsport.al ka mësuar se për shërbimet e mesfushorit ishte në garë edhe Partizani, mirëpo verilindorët kaluan një hap përpara falë ndryshimeve që bëri presidenti Gjici duke emëruar si drejtor sportiv, Nderim Nexhipin. Ky i fundit ka një marrëdhënie të mirë me drejtorin e Skënderbeut Haris Fakiç, pasi janë miq të vjetër.
Është pikërisht ish-mesfushori i Partizanit, Nderim Nexhipi, tashmë në postin e drejtorit te Kukësi, që ka ndërhyrë duke transferuar Shkodrën te verilindorët, sigurisht edhe me mbështetjen e Haris Fakiç.
Në fushë, Nexhipi kishte cilësi të jashtëzakonshme, tashmë mbetet për t'u parë si do të jetë eksperienca e tij e parë si drejtor sportiv, për më tepër në një skuadër kampione siç është Kukësi... /Newsport.al/