Duket paksa e pazakontë, por nuk është kështu. Nëse ndokush kërkon Presidentin e FSHF-së që prej një jave, i shkruan sms, apo i bën telefonata në numrin e tij personal e zyrtar nuk e gjen dot. Shkak, sipas burimeve nga miqtë e tij, janë pikërisht kërkesat e shumta që i vijnë nga të katër anët e vendit, por edhe nga trevat shqipfolëse, për bileta në inaugurimin e stadiumit “Arena Kombëtare” në 17 nëntor, në ndeshjen me Francën, raporton newsport.al.
Kjo është e para herë që ndodh një gjë e tillë me presidentin e FSHF-së. Dhe ndoshta nuk ka faj. Sepse shumë prej njerëzve që e njohin apo kanë numrin e tij të telefonit, gjejnë zgjidhje për kollaj duke i kërkuar drejtpërsëdrejti atij bileta.
Nuk dihet sesa do të zgjasë kjo masë “ngushtuese” që i ka vënë vetes, duke përdorur ndonjë numër provizor veç për njerëzit më të afërt. Por e sigurt është, se numrit të vjetër që e ka pasur dhe nuk e ka ndryshuar prej kohësh, do t’i kthehet pas ndeshjes Shqipëri – Francë në 17 nëntor në “Arena Kombëtare”, raporton newsport.al.