
Te Flamurtari kanë nisur pakënaqësitë dhe dje janë shfaqur haptazi. Alvesh ka lënë stërvitjen, ndërsa e hëna do të jetë ditë vendimtare, ku pritet që të largohen disa lojtarë për shkak të financave jo të sigurta.
Kjo situatë nuk është e panjohur në Vlorë, ku pas largimit të Bashkisë si aksionere kryesore, lojtarët kanë bërë disa herë grevë derisa kanë marrë paratë. Sezoni i shkuar ka qenë kulminant, ku bojkotimi i stërvitjes ishte pothuajse çështje dite, derisa disa lojtarë u larguan në merkaton e janarit dhe të tjerë që iu drejtuan FIFA-s për të marrë dëmshpërblimet.
Por, ende pa nisur sezoni i ri, te vlonjatët ka plasur sërish e njëjta çështje, e cila parashikohet që të kthehet në rutinë nëse drejtuesit nuk tregohen korrektë në kohë. Administratori Sinan Idrizi ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa lojtarët presin zgjidhje, e cila nuk mund t'iu jepet vetëm nga trajnerët apo drejtorët respektivë.