
Elton Cale dhe Agustin Torasa janë padyshim dy lojtarët që bëjnë diferencën jo vetëm te Tirana, por në të gjithë kampionatin shqiptar. Si braziliani ashtu edhe argjentinasi kanë shkëlqyer në këtë edicion futbollistik duke dhënë një kontribut të madh te 24 herë kampionët e Shqipërisë.
Ditën e djeshme, në fitoren 5-1 të Tiranës në Kupë kundër Besëlidhjes, të dy shënuan emrat e tyre. Cale realizoi dy herë në portën lezhiane, ndërsa Torasa shënoi pas një aksioni të thurur vetë nga ai. Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fundi i Superiores, bardheblutë janë në rrugën e duhur për titullin kampion, të shkëputur 9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë.
Tanimë po mendohet edhe për Europën e pikërisht dy lojtarët e sipërpërmendur janë ata që priten të blindohen nga drejtuesit bardheblu.