Bruno Dita ishte një nga lojtarët më të mirë në radhët e Skënderbeut në fitoren e djeshme kundër Partizanit me rezultatin 2-1. Mesfushori i njohur është shndërruar në lojtarin “xhol” për trajnerin Ilir Daja duke u aktivizuar aty ku skuadra ka nevojë.
Dje arriti të realizonte një gol që në fund pati vlerën e 3 pikëve. Pas përfundimit të 45 minutave të para, kryeqytetasi foli për mediet teksa u shpreh: “Këto ndeshje kështu do të vendosen. Ata që arrijnë të konkretizojnë si duhet, do të fitojnë. Ne kemi bërë lojën tonë, besoj se jemi mirë. Partizani na vuri në vështirësi? Pfff, jo personalisht s’më ka vënë në vështirësi. S’më vë asnjëherë”, përfundoi Dita duke qeshur.
Duket si një deklaratë e një lojtari bardheblu i cili Partizanin e sheh si rival të përjetshëm, pavarësisht se çfarë ndodh në fushën e blertë. Pak javë nga fundi i Superiores, Bruno Dita duket se e ka marrë “rrugën”. Interesi i Tiranës për të ka qenë i madh edhe në merkaton e dimrit, mirëpo presidenti Ardian Takaj s’e lejoi.
Dje në fushë, luftoi si një “luan” në derbi dhe fjalët pas pjesës së parë e bashkojnë pikërisht me 24 herë kampionët e vendit. Dëshirën për të qenë në organikën e kryeqytetasve, ai s’e ka fshehur asnjëherë. Tanimë pritet të shihet se çdo të ndodhë me të ardhmen e tij. E sigurtë është që deklarata e tij ka lënë shije pozitive te tifozët bardheblu.