
Teuta luan nesër në "Niko Dovana" sfidën e parë të turit të dytë Conference League ndaj Inter Escalades. Durrsakët janë favorit në letër dhe kërkojnë të mbyllin llogaritë që në ndeshjen e parë për të udhëtuar të qetë në transfertë. Trajneri i Teutës, Edi Martini foli sot në konferencën për shtyp duke zbuluar gjendjen e skuadrës së tij, ndërsa analizoi edhe kundërshtarin.
Gjendja e skuadrës? "Situata është mjaft e mirë. Ndeshja e parë me Tiraspolin këtu, na vuri në dukje disa probleme që u munduam t'i riparojmë, në ndeshjen e dytë dhe gjatë javës këtu. Gjendja është e mirë, përveç Lorenco Vilës që ka dëmtim, pjesa tjetër është ok dhe jemi në gjendje optimale".
Kundërshtari? "E njohim, falë atyre dy ndeshjeve që kanë bërë në Shqipëri. I kemi parë. Duhet të bëjmë atë që dimë më mirë të bëjmë, të mos merremi shumë më mënyrën e lojës së kundërshtarit, por të bëjmë mirë lojën tonë: mënyrën e daljes në sulm apo përqendrimit maksimal që duhet të kemi në fushën e lojës. Shpresoj t'ia dalim".
Formacioni? "Pothuajse 90% është i fiksuar formacioni, por mund të ketë ndonjë ndryshim deri nesër. Vila na ka nxjerrë disa probleme me mungesën e tij. Megjithatë, edhe lojtarët e tjerë do mundohen të bëjnë më të mirën, edhe ata që mund të futen si zëvendësues. Shpresojmë ta rregullojmë, që të mos ndihet mungesa e tij".
Kualifikimi? "Në letër kemi shanse shumë për t'u kualifikuar, por letra nuk është gjithçka. Pavarësisht cilësive tona dhe të kundërshtarit, duhet të jemi 100% të mobilizuar në fushë. Është një ndeshje e fortë, e luftuar, të gjithë dinë të mbrojnë dhe të kundërsulmojnë mirë. Shanset janë më tepër për ne, por shpirti i garës bën diferencën. Do doja të mbyllnim llogaritë e kualifikimit që në ndeshjen e parë, por janë dy ndeshje për t'u luajtur. Të bëjmë sa më mirë ndeshjen e parë, por nuk duhet të mendojmë që mund t'ia dalim që në ndeshjen e parë, pasi janë dy ndeshje të vështirë".
Tifozët? "Ne kemi treguar gjatë gjithë vitit profesionalizëm, pavarësisht së nuk kemi pasur mbështetje për shkak të Covid-it. Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë nesër, pasi realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre, dhe ishalla ua shpërblejmë".