
"Kush mendon se është Messi e ka shumë gabim", kjo ishte deklarata e Edi Rejës në konferencën e djeshme për shtyp i cili sulmoi Taulant Xhakën për refuzimin e ftesës së bërë nga Kombëtarja. "Gladiatori" i mesfushës kuqezi kishte njoftuar se ishte i dëmtuar dhe s'mund të ishte i pranishëm për dy sfidat e radhës.
Mirëpo kjo duket se s'është marrë e mirëqenë nga stafi teknik duke nxitur mjaft polemika mes palëve. Së fundmi është Xhaka që i është përgjigjur Rejës teksa ka theksuar se nuk është e vërtetë që ka refuzuar kuqezinjtë.
"Trajneri Reja tha që e kam refuzuar Kombëtaren. Kjo nuk është aspak e vërtetë! Dua që ta dijë i gjithë populli shqiptar se kjo që është thënë dhe shkruar dje nëpër rrjete sociale dhe ajo që thonë ata, nuk është aspak e vërtetë. Unë për fanellën dhe për flamurin kombëtar jap edhe jetën", ka thënë fillimisht ai.
Deklarata e Rejës duket se ka lënë shije të hidhur te Xhaka, i cili nuk kursehet aspak por e thotë gjithçka ashtu si e mendon. Për Panorama Sport, lojtari ka përgenjeshtruar gjithçka që është aluduar në këto ditë: "Edhe herën e parë që unë isha në listën e pritjes, asnjë person, as trajneri, nuk më ka telefonuar apo shkruar për të më thënë se si është puna rreth kësaj zgjedhjeje. Këto janë gënjeshtra dhe pallavra. Më falni që shprehem kështu! Por, unë për këtë fanellë e për këto ngjyra kam dhënë shumë. Kam dhënë maksimumin tim. Nuk mundet që të ma humbasë askush këtë emër".