Partizani ka fituar në shtëpi përballë Kukësit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi me fitoren e pastër 3-0 të vendasve. Tedi Cara ishte protagonist absolut në këtë ndeshje me dy gola dhe një asist.
“Jam i kënaqur pasi këto 3 pikë i donim me doemos. E dinim që s’do ishte e lehtë përballë Kukësit. Edhe në pjesën e parë u pa që kishim shumë vështirësi. Por me atë penallti ndryshoi gjithçka. Me këto ekipe mjafton goli i parë dhe më pas bëhet më e lehtë. Këto dy gola ia dedikoj familjes sime”, u shpreh fillimisht Cara.
Renditja?
“Ne nuk është se i kemi parë kundërshtarët. Ne kemi punë me veten tonë dhe kemi lënë pikë për gabimet tona. Nëse i marrim ndeshjet 1 nga 1 mendoj se do të jemi aty ku duhet. Sot morëm një fitore të rëndësishme. Ndeshje e radhës është jashtë shtëpië me Erzenin, shumë e vështirë.”
Kanë ndikuar mungesat?
“Herë pas here edhe mund të kenë ndikuar. Duhet të përshtatesh në disa manovra të lojës me lojtarët që mungojnë. Por kur është kontigjenti i plotë ke përparësi për të fituar ndeshjen, kur nuk e ke është e vështirë.”
Vllaznia-Tirana?
“Po e diskutonim pak me çunat si mund të dilte ajo ndeshje. Gjithë opinioni mendon se do e ketë të lehtë Vllaznia, por mendoj se Tirana do tregojë dhëmbët. Mendoj për barazim.”