Të enjten, Partizani do të luajë kundër Laçit në kuadër të javës së 33-të të Superiores. Për këtë takim të kuqtë po zhvillojnë përgatitjet e nevojshme nën urdhrat e trajnerit Starova. Ky i fundit ka munguar të hënën në seancën e zhvilluar për shkak të një problemi që ka pasur në gju. Megjithatë ditën e djeshme ka qenë prezent me ekipin.
Mësohet se trajneri Sulejman Starova do të operohet pas ndeshjes me Laçin. Një dëmtim i vjetër në gju ka bërë që tekniku i të kuqve të ndjejë dhimbje dhe duhet një ndërhyrje kirurgjikale për të rikuperuar gjurin e tij.
Superiorja ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe tashmë kanë mbetur 4 javë nga fundi. Ende nuk është përcaktuar skuadra kampione e këtij viti dhe Partizani është një nga tre kandidatët potencial. Ndaj trajneri Starova dëshiron që të jetë pranë ekipit për të dhënë udhëzimet dhe pas 24 vitesh të arrihet te trofeu i shumëmunguar siç është titulli kampion.