Lajmi pozitiv nga CAS-i ka nxitur drejtuesit e kuq të nisin menjëherë nga puna për të përforcuar skuadrën. Zhbllokimi i merkatos ka sjellë dy afrimet e para, të konfirmuara nga klubi i Partizanit si Valentino Murataj dhe Stenio Junior. Ndërkohë prapavija mbetet reparti më delikat i kryeqytetasve dhe kësisoj po punohet intensivisht për t’i sjellë Ilir Dajës disa futbollistë.
Burime për newsport.al bëjnë me dije që drejtuesit e klubit të kuq kanë hedhur grepat jashtë Shqipërisë duke qenë se tregu vendas ofron pak ose aspak mundësi. Të kuqtë janë në tratativa me Karlo Biliç, qendërmbrojtësi shtatlartë që luan në Kroaci me Sibenikun. 27-vjeçari është pjesë e ekipit kroat që militon në elitë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë marrëveshje pasi lojtari aktivizohet rregullisht si titullar me ekipin e tij.
Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë mes shtatlartit dhe klubit të kuq, teksa duhet thënë se në negociata janë edhe me lojtarë të tjerë. Fillimisht priten të prezantohen në ambientet e klubit Murataj dhe Junior, për të vijuar me futbollistët e tjerë ku kandidat për prapavijën e kuqe është pikërisht Karlo Biliç. /Newsport.al/