
Krijon volum, raste, por nuk arrin të finalizojë. Partizani i Adolfo Sormanit ka muskuj, por duket se i mungojnë cilësitë në fazën ofensive dhe difensive. I vetmi repart që kalon klasën është mesfusha. Humbja e djeshme 2-1 e Partizanit kundër Skënderbeut ka tërbuar drejtorin e përgjithshëm, Olsi Ramën. Ky i fundit ishte në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” duke ndjekur nga afër takimin, ndërsa në ditën më të dobët ishin mbrojtësit.
Pikërisht prapavija ka qenë reparti që ka tërbuar drejtorin e të kuqve që nga tribuna nuk ka ngurruar t’u tërheqë vëmendjen. Gabimet e njëpasnjëshme, sollën disfatën e radhës për kampionët që janë shumë larg sezonit të shkuar. Edhe pse ishin rreshtuar 3 mbrojtës në repartin difensiv, Skënderbeu arriti të tregohej pragmatist duke realizuar në të parin rast që iu dha.