
Marrëdhëniet midis mesfushorit Donjet Shkodra dhe Kukësit po shkojnë drejt prishjes përfundimtare. 29-vjeçari nuk do të grumbullohet për takimin e radhës me Flamurtarin, edhe pse nuk ka asnjë problem fizik. Mosmarrëveshjet për reduktimin e pagës së tij ka bërë që drejtuesit ta shtyjnë drejt derës mesfushorin, i cili ndihet se nuk ka marrë respektin e duhur. Situata ndërlikohet për faktin se lojtari edhe nëse pranon të largohet, i ka mbetur shumë pak kohë për të gjetur ekip të ri sepse mbetet vetëm një javë nga mbyllja e merkatos. Mungesën e tij Cungu do ta ketë të vështirë ta plotësojë. Gjeorgjiani Irakli Dzaria është i dëmtuar dhe për rrjedhojë tekniku shkodran duhet të zgjedhë midis Vesel Limajt dhe Omar Touresë, ky i fundit nuk është përfshirë akoma si duhet me grupin, kështu që shanset janë për ish-futbollistin e Bylisit Limaj.