
Kukësi tashmë ka siguruar vendin e dytë në tabelën e klasifikimit duke patur siguri për pjesmarrjen në Kupat e Europës. Ndërkohë që ka mbetur dhe një takim për tu luajtur, drejtuesit e klubit verilindor së bashku me trajnerin Peter Pacult kanë nisur nga puna për "piketimin" e lojtarëve të rinj.
Pacult ka shprehur dëshirat e tij për lojtarët që i duhen në ekip për zhvillimin e një pjesmarrjeje të denjë në Kupat e Europës dhe në sezonin e ri.
Austriaku ka kërkuar një mbrojtës të djathtëm, një të majtë, një mesfushor të djathtë dhe një sulmues qendre. Nuk dihet ende nëse Pacult ka dhënë emra konkretë, por kjo është një nisje e mirë për teknikun i cili nuk ka dashur të vonojë me kërkesat për të mos humbur shumë kohë dhe nisur menjëherë nga puna.