Apolonia do të luaj nga sezoni i ardhshëm në Kategorinë Superiore. Fierakët ia dolën të mposhtin 1-2 Lushnjën në derbin e Myzeqesë, duke hipotekuar ngjitjen në elitë 2 javë para fundit të Kategorisë së Parë. Në lidhje me këtë sukses, në Pressing ka qenë i ftuar presidenti i bardhjeshilëve, Koço Kokëdhima. Ai ka folur për shumëçka, duke cekur edhe postin e trajnerit, me Artan Mërgjyshin që nuk diskutohet edhe në Superligë.
Në mediet sportive në vend është përfolur se me mbarimin e sezonit, Orges Shehi i Kukësit shihej si zëvendësues i Mërgjyshit, ndërsa vetë Kokëdhima ka thurrur elozhe për trajnerin aktual të Apolonisë, duke i dhënë një assist për sezonin e ardhshëm në Superligë.
“Mërgjyshi edhe nëse nuk do të dilte në Superiore, do të ishte trajneri ynë. Është një projekt afatgjatë, kemi një vizion për të cilin bashkëpunojmë.
Ai do të udhëheqë të gjithë pjesën teknike. Ai është një trajner shumë i respektuar dhe gjëja më e rëndësishme që ai ka, është se punon me të rinjtë. Ai i studion dhe thotë që ne mund ta bëjmë këtë futbollist, për ne dhe për vetë futbollistin. Kjo është një armë shumë e fortë e Mërgjyshit.
Për mua është një super-trajner për të rritur të rinjtë. Mërgjyshi ka bonuset e tij për objektivin që arriti. Ai e drejton merkaton e Apolonisë”, tha Kokëdhima.