
Aksioni i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të operacionit të dosjes “5D Konstruksion”, ka çuar para drejtësisë edhe drejtoreshën e shumësportëshit të Tiranës, Deborah Keçin.
Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, rezulton se për Keçin është caktuar masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Ajo akuzohet për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme ka vendosur që ta pezullojë nga detyra si drejtoreshë e klubit shumësportësh të Tiranës.
“Caktimin ndaj personit nën hetim D.K. të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021”, thuhej në njoftimin e SPAK.