Skënderbeu po kalon një sezon me ulje-ngritje, por nuk kanë munguar ofertat për lojtarët bardhekuq. Në Korçë e dinë fare mirë sesi veprohet në këto raste, duke nisur nga eksperienca e mëparshme me shitjet e “xhevahirëve” të ekipit. Mësohet se në drejtim të “Ujqërve” ka mbërritur një ofertë nga Çekia, për mesfushorin Nazmi Gripshi. Durrsaku ka treguar këtë sezon se mund të jetë ai lojtari i Superiores, që do të bëjë kapërcimin e madh drejt një kampionati më të fortë.
Është klubi çek i Teplice, që ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e lojatrit si dhe me klubin e Skënderbeut. Çështja është ende në diskutim dhe palët nuk kanë avancuar me detajet. Mësohet se klbi nga Korça kërkon 300 mijë euro, në mënyrë që të lejojë një transferim të tillë. Kujtojmë se për shërbimet e Gripshit, Skënderbeu pagoi 60 mijë euro te ekipi i Teutës. Totali i “daljeve” cilësore te Skënderbeu kap shifrën e 3.4 milion eurove, me Olayinkën, Berishën, Zekën, Latifin apo Abazajn që u larguan jashtë vendit.