Kupa e Botës në Katar ka ngritur polemika që prej vendimit kur u zgjodh si pritës vendi arab dhe këto polemika kanë ardhur gjithmonë në rritje deri tani kur jemi pak orë larg çeljes zyrtare. Rregullat strikte të vendosura nga qeveria e Katarit kanë sjellë reagime të ashpra nga aktorë të mëdhenj të botës së futbollit të cilët i quajnë mizore, diskriminuese dhe mohim të të drejtave të njeriut.
Një prej rregullave ishte ai i ndalimit të simboleve të komunitetit LGBT por ky rregull do të shpërfillet nga Federata Angleze e Futbollit e cila do të lejojë kapitenin e “Tre Luanëve”, Harry Kane të mbajë shiritin me ngjyrat e ylberit dhe mbishkrimin “#ONE”.
Në një intervistë për Sky Sports, presidenti i Federatës, Mark Bullingham u shpreh se FIFA mund të sanksionojë Anglinë sepse ata do të “injorojnë” rregullat për mesazhet politike.
“Ata nuk iu përgjigjën kërkesës sonë për ta mbajtur atë shirit dhe ka mundësi të gjobitemi. Në atë rast ne do të paguajmë gjobën.”- tha Bullingham.