
Myrto Uzuni është padyshim lojtari më në formë i Kombëtares. Sulmuesi kuqezi u larguar gjatë kësaj merakto nga Lokomotiva e Zagrebit drejt Ferencvarosit dhe tashmë është një hap larg kalimit në grupet e Champions League. Skuadra e tij mori një barazim 3-3 ndaj Moldes në ndeshjen e parë dhe disa ditë më vonë do të luajnë ndeshjen e kthimit. I ftura në "Zona Gol", Uzuni u shpreh se dëshiron të bëjë histori me këtë klubi e gjithashto foli edhe për Kombëtaren.
"Kalova formë të mirë në Kroaci, pata shumë oferta, por që në fillim më bindi Ferencvarosi, që më tha se do të isha shumë i rëndësishëm për Championsin. Dua të shënoj sa më shumë gola dhe të hyj në historinë e klubit, duke e kualifikuar në Champions. Kam ëndrra, por nuk dua t'i zbuloj, dua të shënoj sa më shumë gola. Kam pasur bisedime te Dinamo, por ishte zgjidhja ime, nuk doja të qëndroja në Kroaci, doja të ndërroja ambient."
Përplasja me Molden: "Duke parë futbollin e sotëm, nuk ka favoritë. Ne do të ulim kokën që të mos dalim nga fusha me pengje se nuk bëmë atë apo këtë përballë Moldes."
Nga Apolonia, te Ferencvarosi: "Duhet të kthesh gjithmonë kokën pas e të shohësh nga ke ardhur. Kjo është forca ime më e madhe. Kur isha te Apolonia, nuk mendoja se do të transferohesha, nuk po gjenim gjuhën e përbashkët me presidentin e Apolonisë, isha demoralizuar. Babai më dha kurajë. Në një ndeshje kupe me Apoloninë erdhi presidenti i Laçit dhe vendosi të investonte tek unë, shpresoj t'ia kem shpërblyer. Tifoz në Shqipëri? Jam me Laçin, sepse aty më mbështetën."
Mungesa e minutave në Kombëtare: "E kam pritur edhe më parë rolin e protagonistit në Kombëtare, sepse kam luajtur shumë mirë në Kroaci. Me Lokomotivën kapëm vendin e dytë dhe shkuam në finale të Kupës, nuk kam bërë asnjë ditë pushim. Mendoja se do të aktivizohesha në dy ndeshjet me Kombëtare. Jam shumë i lumtur që bëj pjesë në Kombëtare, por kjo nuk mjafton për mentalitetin tim, dua të kontribuoj dhe të lë gjurmë. Skema 3-5-2? Besoj se për një lojtar që luan, gjithmonë ka vend."