Milot Rashica është blerja më e rëndësishme e Norwich City.
Skuadra e sapo ngjitur në Premier League ka prezantuar futbollistin e kombëtares së Kosovës, teksa ky i fundit i është përgjigjur interesit të madh të mediave britanike.
Gjatë konferencës për media, Rashica shfrytëzoi rastin ta promovonte Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke thënë se fëmijët në Kosovë veshin fanellat e tyre dhe jo më të ekipeve tjera kombëtare dhe lojtarëve të huaj.
"Ne shikonim ekipet tjera kombëtare dhe lojtarët tjerë, por tani mund të shikosh fëmijët në Kosovë që mbajnë emrat tanë në fanellat e tyre. Vëmendja tek futbolli i huaj nuk është si më parë. Kur ne luajmë, askush nuk punon. Të gjithë duan të shkojnë në stadium ose diku për ta shikuar ndeshjen. Kjo na bënë neve shumë të lumtur dhe krenar", është shprehur mes të tjerash Rashica.
25-vjeçari u largua nga Werder Bremen në merkaton e kësaj vere për vlerën e 11 milionë eurove.