Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain do të përballen të mërkurën e 6 majit, në kuadër të gjysmëfinales së kthimit të Champions League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena”, do të nisë në orën 21:00.
Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i PSG-së, Luis Enrique. Ky i fundit ka shprehur respektin maksimal për ekipin bavarez, por thekson se do të fitojë për tifozët që do ta ndjekin nga stadiumi.
“Rafael Nadal thoshte dikur se të luash kundër Federer ishte një motivim. Është e njëjta gjë edhe për ne. E admirojmë Bayernin, por duam të tejkalojmë veten. Ne duam t’i bëjmë krenarë 4000 tifozët që do të jenë nesër në stadium”, tha Enrique.
PSG-së i mjafton barazimi për të shkuar në finalen e madhe. Kujtojmë që parisienët fituan ndeshjen e parë me shifrat 5-4, mes spektaklit dhe emocioneve, të cilat priten edhe mbrëmjen e nesërme.
