
Ditën e sotme e gjjithë vëmendja do të jetë në Shkodër. Në "Loro Boriçi” do të luhet Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës. Një duel mjaft interesant dhe që vë përbalë dy ekipet më të titulluara në futbollin shqiptar.
Ndeshjet e një niveli të tillë premtojnë spektakël si në fushën e lojës ashtu edhe në tribuna. E tillë pritet të jetë edhe sfida e sotme mes kuqebluve dhe bardhebluve.
Shkodranët vijnë në këtë përballjen në momentin e tyre më të mirë, duke qenë skuadra më e mirë momentalisht në Superiore. E në këtë kushte nuk do të mungojë as mbështetja e tifozëve shkodranë, të cilët pritet të mbushin shkallët e stadiumit.
Në fakt pritet një “Loro Boriçi” i tejmbushur dhe nuk do të ketë vetëm ndeshje, por do të jetë edhe një ditë feste. Në Shkodër kanë menduar të festojnë dhe para kësaj sfide do të ketë një koncert, ku Bashkia Shkodër dhe klubi kanë organizuar për të kënaqur tifozët.
Por jo vetëm kaq, pasi shumë surpriza të tjera do të ketë për të pranishmit në stadium, ndaj dhe kjo sfidë merr një rëndësi të veçantë, ku spektakli është i garantuar. Në orën 17:00 të gjithë tifozët do të mbajnë “frymën”, teksa do të jenë gjithë “sy e veshë” nga Shkodra.