Atalanta fitoi me rezultatin 3-2 kundër Lazios, ndeshje e vlefshme për Kupën e Italisë. Skuadra e Berat Gjimshitit ia doli të merrte një triumf të madh edhe pse me 10 lojtarë në fushë. Festa ishte legjitime për skuadrën nga Bergamo që siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.
Ndër ata që shkëlqyen në këtë takim ishte pikërisht edhe lojtari ynë i Kombëtares, Gjimshiti. Arriti të realizonte një gol në minutën e shtatë duke zhbllokuar shifrat e sfidës. Shtatlarti i prapavijës ka folur për Rai duke thënë:
“Ishte një ndeshje e veçantë dhe shijuam një futboll sulmues. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ishte një përballje shumë e bukur për t’u parë, por pati edhe goxha gabime. Më pas doli në pah karakteri i Atalantës. Nëse kthejmë kokën pas, mund të them që këtë lloj takimi nuk do e kishim fituar dot dy vite më parë.
Vuajtëm shumë, por ia dolëm të fitojmë dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale. Shumë gola nga mbrojtësit tek Atalanta? Detyra jonë kryesore është të mbrojmë. Më pas mendojmë për sulmin, trajneri na kërkon gjithmonë të dërgojmë topin në rrjetë në momentin që kundërshtari nuk e pret. Ky është sekreti ynë“, tha ai.