
Stavri Nica do të vijojë të jetë trajneri i Kukësit. Pas humbjes me Vllazninë u raportua për një dorëheqje të Nicës nga stoli i verilindorëve i cili ua kishte komunikuar këtë vendim lojtarëve në dhomat e zhveshjes dhe drejtuesve.
Mirëpo, ditën e sotme ai është rikthyer sërish në stërvitje siç duket edhe në një foto të publikuar sot. Pas një bisede të qetë, larg nervave të lojës duket se palët kanë rënë dakord për të vijuar së bashku deri në fund. Në fakt ishte vetë zv. trajneri Oltijon Kërnaja që mohoi fillimisht largimin e Nicës teksa po jepte intervistë pas humbjes ndaj shkodranëve.
Nica dhe Kukësi tani duhet të fokusohen te ndeshja e rradhës që i sheh në shtëpi përballë Egnatias kryesuese, ndërsa drejtuesit vazhdojnë punën për të përforcuar ekipin në merkato.