
Partizani ditën e djeshme arriti të shpallej kampion i Abissnet Superiore, teksa në “Arenën e Demave” mposhti 2-0 Teutën. Një triumph me pikë të barabarta me rivalët e tyre, por të kuqtë siguruan titullin për shkak të përballjeve direkte mes tyre.
Giovanni Colella ia doli që të fitojë trofeun në Tirana dhe në këtë mënyrë shkruan emrin e tij në librin e historisë. Fillimisht është trajneri i parë italian që ia del mbanë të fitojë një titull. Mes shumë emrash trajnerësh italianë që kanë drejtuar në vendin tonë ekipet e Superiores, Colella tashmë është “On Top”.
Por jo vetëm kaq, pasi italiani i kuq është bërë trajneri i 5-të i huaj që arrin të koleksionojë titullin në kampionatin shqiptar. Samo Singer nga Hungaria ia doli të shpallte kampion Tiranën në vitin 1935, teksa Dervish Haxhi Osmanovic nxori kampion Vllazninë në vitin 2000-2001 dhe që është i fundit për shkodranët.
Në vitin 2011-2012 do të ishte radha e Skënderbeut të shpallej kampion, teksa në stol do të ishte Stanislav Levi. Më pas do të ishte sërish Tirana që do të shpallej kampione në vitin 2019-2020 ku Emmanuele Egbo do të ngrinte në qiell titullin me bardheblutë.