Kategoria Superiore ka marrë një periudhë pushimi, pasi në fushë do të zbresë ekipi Kombëtar. Kjo periudhë do iu shërbejë ekipeve që veç të tjerash të përmirësojnë edhe “shënjestrën”. Po cilët janë ata që kanë tundur rrjetën gjatë këtij sezoni?
Pas shtatë javëve të luajtura, këtë listë e kryeson Vasil Shkurtaj. Sulmuesi i Kukësit nuk ka si të mos kryesojë kur në ekip ka aq cilësi në sulm. I janë dashur 614 minuta, për të realizuar pesë gola; pra afëersisht 123 minuta për një gol.
Me katër gol ndjek Nuabuaze i Laçit, që ka qenë lojtari surprizë i kampionatit. Kjo u pa që në ndeshjet e ekipit kurbinas në Europë. Nigeriani ka shënuar 4 gola në shtatë javët e zhvilluara, duke marrë në supe sulmin e Laçit.
Ajo çka bie në sy është se në këtë listë golashënuesish gjendet Isli Hidi, portieri i Bylis që ka shënuar dy herë nga pika e 11 metërshit. Me tre gola vijojnë Hasani dhe Halili nga Tirana, Lika i Vllaznisë, Ntephe i Bylis apo Fili i Luftëtarit.
Me vetëm dy realizime janë lojtarë si: Ngo (Tirana), Avdyli (Teuta) apo Solomon i Partizanit. Një garë më vete do jetë edhe kjo për trafeun e këpucës së artë.