Me evoluimin e futbollit që po kthehet në një lojë ‘kompjuterike’ ku detajet më të imta bëjnë diferencën më të madhe, talenti ‘bio’ është ai që i jep ngjyrimet më të bukura sportit më të dashur në botë.
Djem që futen në fushën e lojës dhe jetojnë ëndrrën e mijëra e miliona fëmijëve anë e mbanë botës. Ai lloj ‘soji’ që luan në barin më të sofistikuar të stadiumeve me mijëra tifozë, me të njëjtin pasion siç luan zbathur në rrugicat e lagjes. Këto raste që së fundmi po pakësohen, janë ato raste me të cilat personifikohet vetë futbolli.
E në Kosovë, futbolli po ‘mishërohet’ nëpërmjet një djaloshi. Po flasim për Drilon Hazrollajn, një emër që shumë prej jush po e dëgjoni për herë të parë, por në vitet e ardhshme do të jetë kryefjalë.
[caption id="attachment_716202" align="alignnone" width="300"] Drilon Hazrollaj[/caption]
Talenti i Malishevës që po ‘ngjyros’ futbollin dardan në Superligën e Kosovës. Sulmuesi i krahut të djathtë që ka këmbë të preferuar të majtën po shkëlqen këtë sezon duke regjistruar 14 gola e 9 asiste në 23 ndeshje. Statistika të frikshme për një 20-vjeçar që të garanton mesatarisht 1 gol për ndeshje duke përfshirë edhe asistet.
Hazrollaj ka vetëm 1 paraqitje me Kosovën U21 dhe sipas gjasave nuk pritet të rrisë akoma më shumë numrin, pasi Përfaqësuesja “A” është gati t’i japë shansin e artë duke i besuar edhe një herë produktit vendas.
Performancat fantastike nuk kanë sesi të mos bien në sytë e klubeve europiane, të cilat sipas medieve në Kosovë kanë ofruar mbi 1 milionë euro në tryezën e Malishevës. Për lojtarin ëndërrojnë edhe dy klubet shqiptare, Tirana e Ballkani, por sipas gjasave do të jenë vonë për të dërguar ofertën e tyre teksa çmimi i tij sa vjen e rritet.
Siç thuhet shpesh, trajneri të mëson skemat dhe taktikat në stërvitje, por driblimet dhe finalizimi janë atribute të lindura. Hazrollaj i ka të dyja, driblimet në anësorë të sjellin ndërmend Zhegrovën, ndërsa lehtësia me të cilën dërgon topin në rrjetë është arsyeja që ai nuk është thjeshtë një ‘showman’.
Çdo vend ka disa lojtarë, elementë me të cilët emërtohet futbolli, për shembull në Spanjë ka lojtarë si Pedri, Gavi, Yamal që po trashëgojnë tiki-takan spanjolle, në Itali janë Bastoni, Dimarco, Donnarumma, Raspadori që shfaqin grintën azzurre, apo Bellingham e Foden që tregojnë klasin anglez.
...futbolli në Kosovë quhet Drilon Hazrollaj.