
Nesër, Kukësi do të luajë kundër Luftëtarit, ndeshje e vlefshme për javën e 27-të të Superiores. Para këtij takimi ka folur trajneri i verilindorëve, Orges Shehi, i cili për kanalin zyrtar të klubit është shprehur i kënaqur me gjendjen e lojtarëve të tij.
Asnjë rezultat tjetër s’është opsion për të veç fitores. 3 pikët i sheh shumë të rëndësishme për Kukësin, ndaj për këtë ka deklaruar:
“Pas një periudhe shumë të gjatë për shkak të asaj që ndodhi, ne jemi shumë të kënaqur që rikthehemi në fushë. Jemi përgatitur me aq mundësi sa kemi pasur, në mënyrë që të jemi gati për kampionatin. Për shkak të periudhës së gjatë të pezullimit, më shumë i frikësohem dëmtimeve dhe shpresoj që të mos kemi probleme në këtë drejtim.
Ndeshja me Luftëtarin? Në pozicionin ku jemi, çdo ekip ka rëndësinë e vetë, 3 pikët janë njësoj si me Partizanin dhe Luftëtarin dhe do të luajmë për fitore.
Ne u grumbulluam në Elbasan duke ditur për kushtet e mira që janë këtu dhe rëndësinë që i dhamë kësaj faze, në mënyrë që skuadra të qëndrojë bashkë dhe për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin, na ka shërbyer shumë. Jam i kënaqur për mënyrën se si janë stërvitur çunat me një seriozitet maksimal. Me ne është bashkuar edhe Limaj, i cili nuk mund të jetë 100%, por grupi është i plotë”, ka thënë Shehi.
Ndeshja mes Kukësit dhe Luftëtarit është programuar të zhvillohet në orën 17:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.