Egnatia dhe Laçi janë dy epiket që kanë arritur të grumbullojnë 7 pikë në 4 ndeshjet e para të Superiores, ndërsa ndajnë kështu edhe vendin e 2-të dhe 3-të mes tyre. Si për ironi të fatit, ditën e shtunë do të sfidohen në “Egnatia Arena” për llogaritë e javës së 5-të të Superiores.
Një ndeshje mes të barabartëve, ku pas 90-të minutave do të vendosesh se cila do të jetë forca e dytë e kampionatit. Kurbinasit kanë sulmin më të mirë deri më tani në kampionat. Bardhezintë kanë arritur të shënojnë plot 11 gola, ndërsa kanë pësuar 6.
Ndërkohë nga ana tjetër rrogozhinasit kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës 9 herë, ndërsa janë ndëshkuar në 5 raste. Për fatin e mirë të Edlir Tetovës, Raphael Dëamena jep garanci në sulm, i cili i vetëm ka shënuar 5 gola dhe pritet që të njëjtën gjë të bëj edhe ndaj kurbinasve.
Por jo vetëm kaq, në këtë sfidë duket se Egnatia vjen me moral më të lartë, pasi rrogozhinasit nëse do t’u hedhim një sy përballjeve direkte janë dominues. Në 6 ndeshje të zhvilluara sezonin e kaluar, rrogozhinasit kanë arritur të trimfojnë në 4 prej tyre, ndërsa 2 të tjerat kanë përfunduar në barazim.
Djemtë e Tetovës janë të pathyeshëm dhe kurbinasit ditën e shtunë do të synojnë të “thyejnë” këtë ters dhe të korrin një tjetër 3 pikësh në kampionat. Me Skerdi Bejzaden bardhezinjtë kanë gjetur “çelësin” e suksesit, pasi vetëm në dy takimet e fundit kanë shënuar 8 gola.