
Tirana do të luajë të enjten në Bosnjë kundër Zrinjskit, ndeshje e kthimit për turin e dytë të Conference League. Ndërsa sfida e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të miqve, në këtë përballje Goldi Halili shpreson te një kualifikim i mundshëm në turin e tretë.
Administratorja e klubit Tirana është pyetur në rrjetet sociale pikërisht për takimin në fjalë. Ajo nuk preferon të japë premtime, por mjaftohet duke thënë se bardheblutë në fushë gjithmonë futen me synime të qarta. Në Instagramin e vet, Goldi thotë:
"Ëndërrimi është lumturi, pritja është jetë. Nuk janë vetëm rezultatet ato që e bëjnë Tironën fitimtare. Tirona fiton thuajse nga një sfidë çdo ditë në heshtje. Shpresa në Zot është e palëkundur për të gjithë ne, ashtu si nuk mungon edhe puna maksimale në grup, brenda dhe jashtë fushe. Një gjë është pak, por e sigurtë. Unë jam kundër teorive konspirative".
Kujtojmë që ndeshja Zrinjski - Tirana do të luhet në datën 28 korrik, në orën 21:00. Pritet me interes të shihet nëse bardheblutë do të shkojnë më tej.