
Ditën e sotme u nda nga jeta, legjenda e futbollit shqiptar dhe kryesish atij korçar, Teodor Vaso. Vaso ka mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë në moshën 83-vjeçare.
Për vdekjen e ikonës së futbollit shqiptar ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka. Presidenti i FSHF-së shpreh keqardhjen e tij me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale.
“Futbolli shqiptar humbi sot një legjendë. Është ndarë nga jeta Teodor Vaso, një ikonë e vërtetë e Kombëtares në vitet '60-'70 dhe një figurë emblematike për klubet e Skënderbeut, Partizanit dhe 17 Nëntorit.
Mbrojtës i pakalueshëm, futbollist model dhe njeri me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar e veçanërisht atë korçar. Ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në histori.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vaso, miqve dhe të afërmve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar. Të prehesh në paqe Teodor Vaso!”