
Skënderbeu-Dinamo përfundoi 0-1, në javën e gjashtë të Kategorisë Superiore. Goli i vetëm erdhi nga Chinedu, në pjesën e dytë. Sulmuesi tregon edhe një herë se është i rrezikshëm përpara portës, duke çuar topin në rrjetë. Në këtë 90 minutësh pati pretendime edhe për penallti, ku vlen të përmendim rastin e pengimit të Skukës, apo edhe 11-metërshi që kërkoi Ibraimi pas një prekje me dorë. Menjëherë pas takimit për Supersport ka folur trajneri i dinamovitëve, Bledi Shkëmbi.
"Unë jam trajner dhe dua gjithmonë të fitoj. Pas atij rezultati jo të mirë ndaj Vllaznisë, është normale që ekipi të kalojë një moment të vështirë. Ajo ndeshje kishte rezultat të thellë, por unë nuk e pashë aq të zezë sa ç'e panë shumica. Ajo që më pëlqen është përqëndrimi i djemve. Nuk më pëlqen që kur kam mungesa të shfajësohem. Disa lojtarë nuk kanë qënë në 100 përqind.
Bardhi dhe Mihana? Të dy kanë të dhëna shumë të mira. Ata kanë dhënë maksimumin deri më tani. Bardhi doli për arsye taktike. Sot i pash më ndryshe se herët e tjera. Shpresojmë që ata të bëjnë diferencën në sulm.
Chinedu? Unë mendoj që ai e ka gjithmonë Ibraimin afër. Në momentin që hyri Skuka, funksionoi ndryshe edhe sulmi. Skuka na dha më shumë shtysë të ecim para. Do ta shikojmë se çfarë do të ndodhë në vijim.
Ne ishim të kujdesshëm sepse kemi pësuar gola. Ne kemi cilësi në sulm. E thashë që sot ishim më të përgjegjshëm. Edhe mesfusha bëri maksimumin sot. Unë e di që pas një humbje, ka gjithmonë kuzhinierë ose brigadierë, që të vendosin në diskutim pozicionin. Ne do vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë" - tha ai.