
Edhe pse u konsiderua si njëri prej takimeve më të bukur të këtij sezoni në kampionatin shqiptar, gjykimi i arbitrit kryesor Juxhin Xhaja la për të dëshiruar në këtë takim.
Në dy momente delikate, njëri në minutën e 27-ë kur Camara hyn brenda zonës së Kukësit pengohet qartësisht nga mbrojtësi kundërshtar, Xhaja vazhdon qetësisht avantazhin, por nga pamjet filmike shihet qartë që futbollisti i ekipit durrsak pengohet pastër dhe duhej të akordohej penallti.
Rasti i dytë është në pjesën e dytë kur mesfushori i Kukësit Eduart Rroca del në pozicion të volitshëm për të realizuar gol, por kapiteni i Teutës Tefik Osmani krijon mjaftueshëm kontakt për t'i prishur ekuilibrin mesfushorit të verilindorëve duke anulluar në mënyrë të qëllimshme një rast të pastër për gol.
Te akordimi i penalltisë për Kukësin në minutën e 93-ë, Xhaja vepron saktë kur ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë për prekje të qëllimshme të topit me dorë Tefik Osmanin. Por ai gabon te ekzekutimi i penalltisë së Cordeiros, ku sipas rregullores ekzekutimi i 11-m duhet të përsëritet nëse portieri lëviz para goditjes jashtë vijës fatale.
Pavarësisht spektaklit dhe emocioneve që dha loja, arbitri Xhaja duhej të ishte treguar më korrekt në vendimet e tij.