Kategoria Superiore zhvilloi sot tre nga pesë ndeshjet e javës së 16-të. Në fushë zbritën gjashtë skuadra, teksa pas ndeshjes trajnerët respektivë patën pretendimet e tyre. Barazimi 1-1 mes Skënderbeut dhe Apolonisë në Korçë u vendos nga dy 11 metërsha, me trajnerin e vendasve që ishte i tërbuar pas ndeshjes.
Ahmataj ngriti zërin për arbitrim të qëllimshëm ndaj korçarëve, ndërsa nuk e konsideron si penallti rastin e golit të fierakëve. Në pjesën e dytë të ndeshjes, Bajrami vë një dorë te Gjata, që më shumë duket se vjedh faullin.
Në ndeshjen e barazuar pa gola mes Vllaznisë dhe Kastriotit janë dy momente të dyshimta. Në pjesën e parë, një shtyrje e Da Silvës në zonë mund të jepej 11 metërsh, me mbrojtësin e vendasve Adili që nuk interesohet për topin.
Në konferencën e pasndeshjes, trajneri krutan Ramazan Ndreu i mëshoi këtij rasti. Momenti tjetër është rrëmuja në zonë dhe prekja me dorë e Shkallës, mbrojtësit të Kastriotit. Edhe në këtë moment ka pasur diskutime, me lojtarin që në afërsi të vogël e kishte dorën të pozicionuar në mënyrë natyrale, edhe me topin që nuk po shkonte në drejtim të portës.