
Laçi nuk arriti të rezistonte deri në fund të ndeshjes teksa u mposht nga një penallti e minutës së fundit me Egnatian. Kurbinasit pësojnë disfatë në sfidën e parë të çerekfinales dhe i mbetet të përmbysin rezultatin në duelin e kthimit 2 javë më vonë. Trajneri Mirel Josa dha prononcimin e tij për MCN TV në përfundim të ndeshjes.
“Keqardhje për golin me penallti në fund. Nuk duhet të shkojmë deri aty, kishim mundësi në pjesën e dytë. Egnatia na imponoi lojë, por kur zotëronim topin e humbisnim. Topa të thjeshtë i humbnim duke mos i dhënë vetes mundësi për të sulmuar.
Kampionat apo Kupë? Ne jemi deri këtu, vazhdojmë për të dyja. Duhet të masim forcat tona, si do të zgjohemi nesër e të shohim vazhdimësinë.
Humbja më shqetëson, edhe dëmtimi i Junior janë probleme që mblidhen bashkë. Të shohim si do t’i ekuilibrojmë. Ne do të bëjmë të gjitha mundësitë tona për të kthyer ndeshjen, por duhet parë si do të jetë ana psikologjike në momentin kur të shkojmë atje.
Ujka? Ka shumë ndeshje në këmbë, thamë t’i jepnim prioritet sulmit me Myrtan dhe një shtytje më shumë. Deri diku u bë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën nuk ishim në nivelet që kërkonim”, tha Josa.