Në prag të ndeshjes së të dielës mes Tiranës dhe Skënderbeut, Mirel Josa ka folur në një intervistë ekskluzive për newsport.al, duke vendosur në pah gjendjen e dy skuadrave, mënyrën se si mund të luajnë përballë njëra-tjetrës dhe atë çka pritet të shohim në "Selman Stërmasi" këtë fundjavë.
[caption id="attachment_45029" align="alignleft" width="300"] Çast nga ndeshja e sezonit të shkuar, Tirana-Skënderbeu 0-2[/caption]
"Skënderbeu vjen si kryesues i kampionatit, një kryesim që e mban me meritë, pasi ka ditur të marrë maksimumin nga ndeshjet që ka zhvilluar deri tani. Nga ana tjetër, Tirana vjen pas një fillimi jo shumë të mirë të kampionatit, por tashmë është parë që loja ka ardhur gjithnjë në rritje. Bardheblutë krijojnë volum loje dhe raste për shënim, por i ka munguar konkludimi para portës. Gjithsesi, në dy ndeshjet e fundit e kanë zgjidhur një gjë të tillë", shprehet Mirel Josa.
Ndërkohë, për ish-trajnerin e Skënderbeut, i cili fitoi 4 tituj kampionë radhazi me ekipin korçar, pritet që në "Selman Stërmasi" të zhvillohet një ndeshje e luftuar nga të dyja kampet. "Sigurisht që do të jetë një ndeshje e fortë. Por mendoj se Skënderbeu, duke qenë i shkëputur në krye do të kërkojë të administrojë në këtë takim ndaj Tiranës, për të ruajtur diferencën që ka me skuadrat që e ndjekin, duke përfshirë këtu edhe kundërshtarin e radhës.
Ndërsa Tirana, duke qenë se është pas korçarëve në renditje, jam i bindur se do të ketë një motivim më shumë për të kërkuar fitoren, gjithmonë duke ruajtur ekuilibrat dhe duke mos lënë hapësira për t'u ndëshkuar. Në fakt, Tirana është skuadër që nuk kënaqet asnjëherë me barazim. Skënderbeu ka një sulm më të kompletuar se Tirana, por kjo nuk do të thotë se nuk mund ta fitosh ndeshjen nëse nuk ke sulmues klasikë. Bardheblutë e kanë treguar se mund të marrin tri pikët edhe nëse nuk kanë një pikë referimi fikse në repartin e avancuar, ashtu siç bëri ndaj Korabit ku shënoi Muzaka", shprehet ish-trajneri i Skënderbeut dhe Tiranës.
[caption id="attachment_45028" align="alignleft" width="300"] Mirel Josa, në finalen e sezonit të shkuar të Champions League, Real Madrid-Atl.Madrid[/caption]
Të dyja ekipet vijnë me mungesa në këtë përballje. Tiranës i mungon sulmuesi Ede, ndërsa Skënderbeut, Jashanica dhe Lilaj. Këtë element, Josa e komenton kështu: "Tirana do ta zgjidhë repartin ofensivë me alternativat që ka në skuadër dhe që janë bindëse. Muzaka, Lika, Taku, Vucaj dhe Peçi kanë treguar se mund të japin më të mirën edhe në repartin e sulmit. Për sa i përket Skënderbeut, mungesa e Jashanicës është e zgjidhur, sepse do të luajnë Radas dhe Osmani. Ndërsa për Lilajn mund të jetë disi problem. E them këtë, sepse Skënderbeu deri tani ka luajtur dhe ka fituar pa Jashanicën, por ende nuk e kemi parë pa Lilajn në fushë. Por, do të jetë Agostineli që do t'i japë zgjidhje, pasi alternativat janë të shumta si me Nimagën apo edhe Orelesin".
Duke qenë se Mirel Josa është një ish-lojtar bardheblu, ish-trajner i Tiranës dhe Skënderbeut, pyetja më e natyrshme që mund t'i drejtohet në këtë rast është se, për kë do të bëjë tifo të dielën pasdite.
Përgjigja konkrete ka munguar, ndërsa nuk ka munguar diplomacia.
"Pas 4 vitesh, unë tashmë jam në një tjetër pozitë nga ku mund ta shoh këtë takim, sepse deri vitin e kaluar, duke qenë trajner i Skënderbeut kam bërë tifo për skuadrën ku bëja pjesë. Gjithsesi, do të shkoj në stadium për të parë një ndeshje në bazë të kushteve që do të ofrojë kjo përballje, edhe pse jam i bindur se do të jetë një takim i luftuar. Për sa i përket Skënderbeut dhe faktit që nuk është thyer ende në këtë kampionat, nuk ka rëndësi se kur do të vijë humbja e parë, por si do të reagojë skuadra pas disfatës së parë të mundshme, për të rikuperuar më pas formën e mëparshme", përfundon Mirel Josa për newsport.al.