Partizani luajti ditën e shtunë miqësoren e radhës ndaj Korabit e cila u mbyll në barazim 1-1. Fillimisht ishte Skuka që shënoi për dibranët, ndërsa në pjesën e dytë Solomon barazoi shifrat duke bërë që ndeshja të mbyllej në “paqe”. Për këtë takim trajneri Ilir Daja kishte sërish mungesa, Asani, Belica, Mala, Melo, Lukas Kardozo vazhdojnë të stërviten të diferencuar në mënyër që të jenë gati në momentin që sezoni i Superligës të rifillojë.
Duke parë kaq shumë mungesa Daja vendosi të eksperimentonte sërish e këtë herë është mesfushori Alesio Hyseni. 23-vjeçari është profuar në qendër të mesfushës si “ekran” duke parë mangësitë në këtë rol pas largimit të Telushit. Partizani është një nga ekipet shqiptare që nuk mund të bëjë merkato pasi FIFA i ka bllokuar për çështjen Çinari e duke parë këtë bllokimin trajneri Daja i duhet të shpik formacione të ndryshme për Partizanin e tij.