
Partizani vijon të jetë në Turqi, aty ku po zhvillon fazën përgatitore të dimrit. Kampionët e vendit në fuqi kanë zhvilluar një test miqësor ndaj Trabzonspor, ndeshje e fituar nga këta të fundit me rezultat minimal. "Demat" nuk kanë bërë shumë afrime në këtë periudhë merkatoje, teksa kanë afruar vetëm Dorian Kërçikun për mbrojtjen.
Sot, të besuarit e trajnerit Sormani do të zhvillojnë ndeshjen e dytë miqësore. Në orën 15:00 me atë shqiptare, Partizani do të luaj në Antalia kundër hungarezve të Budapest Honved, që renditen të gjashtët në elitën e këtij shteti.
Ky do të jetë testi i fundit miqësor, përparaq kthimit në Shqipëri. Me grupin është ribashkuar edhe Rron Broja që ishte pjesë dhe mori minuta në miqësoren që Kosova zhvilloi kundër Suedisë. Edhe Aldo Teqja mund të quhet një "rikthim", me portierin që po merr ngarkesën e duhur fizike pas aksidentit të para pak muajve më parë.