
Anësori 24-vjeçar portugez është ylli i spikatur në skuadrën e Stefano Piolit dhe ka performuar mirë këtë sezon, duke shënuar 3 gola dhe duke dhuruar 2 asistime në 6 ndeshjet e para të Serie A.
Disa ekspertë, si ish-trajneri Fabio Capello, mendojnë se Milani i “falet” shumë Leaos dhe se portugezi nuk po kontrubuon mjaftueshëm për ekipin, qoftë në lojën e ndërtuar apo dhe në mbrojtje.
Gjithashtu, ish-sulmuesi Antonio Cassano kritikoi ashpër kontributet e Rafael Leaos për Milanin, duke pretenduar se klubi “Nuk ka kampionë”.
Duke folur në BoboTV, Cassano foli mbi lojtarin portugez të kuqezinjve.
“Leao nuk është as mish, as peshk. Ai më kujton Martialin. Vitin e kaluar Nzola shënoi më shumë gola se ai. Në Champions League duhen lojtarë me personalitet që mund të trondisin ndeshjet, por Milani nuk ka kampionë”.
Ai gjithashtu foli mbi kritikat që ka marrë trajneri i Milanit, Stefano Pioli, duke i dalë në krah këtij të fundit.
“Ai është shumë i fortë”, tha Cassano.
Ndeshjet e ardhshme të Milanit janë kundër Lazios dhe Borussia Dortmund dhe kërkohet një reagim i menjëhershëm nga skuadra kuqezi.