
Ansi Nika është larguar nga Tirana. Mesfushori shkodran u afrua te bardheblutë në këtë merkato verore, por hapësirat e pakta në formacion kanë bërë që ai të ndërpresë me konsensus kontratën dhe tashmë është lojtar i lirë. Për këtë newsport.al ka kontaktuar 26-vjeçarin, i cili u shpreh:
" Është e vërtetë që nuk jam më pjesë e Tiranës. Kam mbyllur bashkëpunimin me ta dhe tashmë shqyrtoj ofertat nga skuadrat e Superiores. Janë disa ekipe që më duan në organikën e tyre, por ende nuk e kam vendosur. Së shpejti do të merrni vesh për skuadrën time të ardhshme, sot ose nesër", ka përfunduar për newsport.al, Ansi Nika.
Ansi Nika u aktivizua në 8 ndeshje me Tiranën në Superiore, por nuk arriti të shënojë asnjë gol. Mesfushori shkodran ka shënuar vetëm në Kupën e Shqipërisë, kundër Luftëtarit në fitoren 1-4.