
Aventura e Orges Shehit te Partizani nuk po shkon siç pritej. Trajneri durrsak u afrua me bujë, por deri tani ka qenë larg pritshmërive. Dhe po të krahasohet me paraardhësit e tij, Arbër Abilaliaj dhe Zoran Zekic, diferencat vërehen qartë.
Kështu në 7 ndeshje të luajtura të Superiores, Orges Shehi numëron vetëm 8 pikë. Nëse ndërtohet një tabelë me të gjitha ekipet e kampionatit shqiptar gjatë këtyre javëve, të kuqtë me 8 pikë do të ishin duke luftuar për mbijetesë.
Me durrsakun në krye, mesatarja e pikëve të kampionëve është 1.14 për ndeshje. Partizani nuk ka qenë në të njëjtën gjendje me trajnerët paraardhës këtë sezon. Kështu me Abilaliajn në 12 ndeshje, të kuqtë grumbulluan 21 pikë.
Me një mesatare 1.75 pikë për ndeshje, Abilaliaj ka bërë dukshëm më mirë se Shehi. Vetëm Egnatia e Edlir Tetovës pati ecuri më të mirë gjatë asaj periudhe.
Më mirë se Shehi dhe Abilaliaj ka bërë Zoran Zekic. Trajneri kroat e pati ekipin në 6 ndeshje të Superiores. Ai grumbulloi 11 pikë, që përkthehen në mesatare 1.83 për ndeshje.
Partizani ka rënie pas ikjes së kroatit Zekic. Aktualisht të kuqtë mbajnë vendin e tretë. Kampionët në fuqi janë tri pikë prapa Vllaznisë dhe pesë më shumë se Tirana dhe Dinamo ndjekëse.