Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur para medieve në prag të ndeshjes me Skënderbeun. Të kuqtë do luajnë nesër në 16:00 me korçarët për javën e 23 të Superligës, me ndeshjen që luhet në “Elbasan Arena”. Veç mungesave të Junior dhe Hasanit, grupi i Partizanit është i plotë, ndërsa për Dajën edhe Tirana e Kukësi janë në garë për titullin kampion.
“Pothuajse e kemi gjithë skuadrën në dispozicion përveç Hasanit dhe Zhunior, që nuk do jenë nesër. Rikthehet Broja dhe Murataj, që kanë munguar në ndeshjet e fundit. Nuk kemi problem edhe pas barazimit sepse gjithë 90 minutave me Apoloninë ekipi tregoi se e donte fitoren e ndeshjes dhe lojtarët kanë mentalitetin e duhur për të fituar ndeshjen.
Motivimi skuadrës – Lojtarët janë të motivuar maksimalisht edhe me Apoloninë e treguan se ishin të motivuar panvarësisht se futbolli i ka të gjitha rezultatet brenda me çdo ekip, diferencat në futbollin shqiptar nuk është se janë të mëdha. Nesër nuk do shkojmë me mendimin se Skënderbeu është i fundit në renditje sepse ata, megjithëse janë në fund, në ndeshje të ndryshme janë shfaqur shumë mirë. Duhet të rikuperojmë pas këtyre barazimeve. Nesër me Skënderbeun do jemi të motivuar dhe do e marrim me seriozitet maksimal.
Cilën skuadër shikoni të favorizuar për titullin?
Ekipet kanë marrë marrë atë që kanë merituar në fushën e lojës deri në këto momente, përveç disa gjërave të vogla, që ndoshta s’duhet të merremi. Besoj se jo vetëm katërshja e parë në renditje do luftojë për titull, por edhe ekipet në vendin e 5-të dhe 6-të sepse janë shumë pikë deri në fund.
Ekipi me më shumë stabilitet në lojë do të jetë favoriti për të triumfuar në fund. Ne kemi objektivat tona, kemi një ecuri shumë mirë deri në këto momente Presim Hasanin dhe Zhunior, që do na ndihmojnë shumë në vazhdimësinë. Gezojmë një gjendje të mirë në të gjitha komponentet qoftë psikologjik, tekniko taktik dhe fizik. Kemi të gjitha mundësitë të bëjmë mirë, por në fund fare fusha e lojës tregon sesa të zotë jemi”, tha Daja.