
Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo ka dhënë një intervistë ndryshe. Këtë herë numri një i stolit bardheblu ka folur për jetën jashtë fushave duke zbuluar shumë gjëra interesante nga jeta e tij private. I ftuar në emisionin "Fit Station" të Çenkuela Hasës në Neës24, Egbo zbuloi ushqimet e tij të preferuara. Trajneri nigerian u largua nga vendi i tij në vitin 1998 për të kaluar në Egjipt ku qendroi për 3 vite e më pas udhëtoi drejt Shqipërisë ku jeton prej 20 vitesh.
"Kam gjithë jetën që merrem me futbolli dhe do ishte mirë të ndryshonim njëherë temën. Unë kam qenë në Egjipt, kam ikur nga Nigeria në 1998 dhe qëndrova në Egjipt deri në 2001. Kam 20 vite këtu. Nëse nuk do isha pritur mirë, nuk do isha në Shqipëri tani. Shqiptarët janë zemërgjerë, si në Afrikë. Ka njerëz të varfër dhe të pasur. Është një jetesë miks, kështu që ka më shumë njerëz të mirë sesa të këqij. Si sportist, nuk na lejohet të hamë byrek. Tasqebapi me pilafin më pëlqen shumë, fasulet po ashtu, janë gjëra që i kam konsumuar edhe në Nigeri.
Kam dy motra në Nigeri, një vëlla në Gjermani, prindërit nuk jetojnë më. Unë shkoj kur kam kohë, njëherë në vit ose dy herë. Kultura shqiptare është si ajo nigeriane. Në Shqipëri kam bërë edhe dasmën time. Në dasmë kishim 3 kultura të ndryshme. Ishte një dasmë shumë e mirë. Me bashkëshorten jam takuar në kishë në fillim, pasi jam besimtar dhe shkoj shpesh. Filipinezët dhe nigerianët janë katolikë, ajo e frekuenton kishën dhe aty jemi njohur. Për fëmijën po presim ende, është Zoti që e jep fëmijën.
Nuk kam shumë kohë në dispozicion, për të bërë shumë gjëra. Jam i angazhuar shumë me stërvitjen. Çdo ditë bëj programin për skuadrën, kur kam kohë të lirë, dal për kafe me miqtë e mi. Një trajner duhet të ketë preferenca për të gjithë lojtarët që ka në ekip, nuk është një lojtar që ta fiton ndeshjen, por grupi.", u shpreh Egbo.