
"Gjëja e parë që më kërkoi ishte as lojtarët asgjë, donte kompleksin, stërvitjen etj. E rëndësishme është stërvitshmëria me nivelet që ka pasur te Skënderbeu dhe më mirë, ne do i plotësojmë", kjo ishte një pjesë e deklaratës së Olsi Ramës gjatë prezantimit të Ilir Dajës në krye të pankinës së Partizanit. Drejtori i kuq premtoi se kompleksi i ri do të ishte gati në fillim të shtatorit, saktësisht fushat që skuadra kryeqytetase të kishte të stërvitej.
Në fakt duket si ato premtimet elektorale, ku mazhoranca apo opozita shkojnë deri atje sa të premtojnë edhe jetën e tyre... deri në ditën e zgjedhjeve. Për një arsye apo tjetër, kompleksi i Partizanit ka mbetur në vend. Ende s'ka asgjë në dritë, Ilir Daja ecën në krah me premtimet që iu bënë, njëherë në Elbasan e tashmë në Librazhd. Pogradecin e provoi gjatë fazës përgatitore. Ndoshta shkëlqimi i tij te Skënderbeu është i freskët në memorien e drejtuesve të kuq, që duket se janë nisur në këtë mënyrë drejt Korçës...
Por, s'duhet harruar se tifozëria e kuqe pret shumë. Fjalët tanimë s'kanë vlerë. Eksperimentët kanë përfunduar. Kompleksi ka përfunduar, ndoshta! Por, fushat s'janë gjëkundi, të paktën ato me bar. Analistët sportivë janë optimistë për punën që ka bërë Ilir Daja te Partizani, i cili "pa dashje" ka marrë rrugën drejt Korçës, por i detyruar të ndalojë të dielën në Librazhd. Një paradoks për të cilin mund të kenë qasje vetëm ata, në krye.
Ndoshta tanimë tekniku kryeqytetas u mësua sepse fillimisht iu premtua një skuadër me lojtarët më të mirë të Superiores, por nga FIFA erdhi një "haber" që 54-vjeçari është sërish i "dënuar". Fushat me bar mbeten thjesht në projekt, tashmë Ilir Daja dhe tifozët janë një. Arsyeja? Premtimet s'kanë munguar, veprat po. / Retin TOKA/