
Dita e parë e vitit 2019 i gjen të gjitha lojërat e fatit në vend të mbyllura, pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Thuajse të gjitha pikat e basteve sportive kanë kryer mbylljen e aktivitetit, ndërsa ndaj atyre që vijojnë të qëndrojnë hapur janë paralajmëruar ndëshkime sipas ligjit.
Por një prej kompanive të lojërave të fatit "online" më të përfolura është "Bastarena". Kryeministri Rama, iniciatori i ligjit për mbylljen e lojërave të fatit edhe online, u akuzua nga opozita se përmes këtij ligji favorizon pikërisht kompaninë Bastarena, pas të cilës thanë se fshihet vëllai i kryeministrit Olsi Rama dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.
Por këtë një janar, as Bastarena nuk bën përjashtim në mbylljen e aktivitetit. Në faqen "online" kompania njofton të gjithë klientët, raporton Newsbomb.al.
"Të nderuar klientë,
Bazuar në ndryshimet e fundit të ligjit për lojërat e fatit dhe me rastin e festave të fundvitit, në datat 31 Dhjetor - 2 Janar Bastarena nuk do të ketë shërbim për klientët.
Pas kësaj date do të shërbejë vetëm si faqe informative", njofton kompania.