Në fundjavë, Kukësi luan ndeshjen e javës 31- të të vlefshme për Kategorinë Superiore.
Sfida do të luhet ne stadiumin ”Zeqir Ymeri” kundër Laçit, ku cilësohet si “derbi” i veriut për shkak të rivalitetit që kanë këto dy skuadra. Kukësianët duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, pasi nuk u lejohet një hap fals në shtëpi për rrugën drejt titullit kampion.
Në një intervistë të dhënë për mediat, qendërmbrojtësi i Kukësit Albi Alla, shpjegon se si po e presin ndeshjen kundër Laçit. Ai shprehet se skuadra vjen me moralin e ngritur, dhe se do të japin maksimumin në fushën e lojës. Qendërmbrojtësi i verilindorëve tregon se nuk mund të bëjë diferencën ndërmjet dy pretendentëve Partizanit dhe Skënderbeut dhe se rruga drejt titullit do të zgjasë deri javën e fundit të kampionatit. “Në barazimet që kemi arritur në shtëpi, si kundër Korabit dhe Vllaznisë, mendoj se kemi pasur fatin kundër.
Por, kundër Laçit do të kërkojmë tri pikët medoemos. Shpresoj që të shënojmë shpejt në këtë sfidë. Ndeshja kundër Partizanit? Do ta mendojmë direkt pas Laçit.
Derbi? Nuk presim dhurata nga Tirana. Jemi të përqendruar te ndeshjet tona dhe nuk na intereson se çfarë bëjnë rivalët”, shprehet Albi Alla.