
Zëvendësimi i Arlind Ajetit ishte një nga momentet më të diskutuara në europian, në ndeshjen me Francën. Në një intervistë, qendërmbrojtësi i përfaqësueses kuqezi ka mohuar të gjitha aludimet e mundshme kur u tha që ai nuk ishte i dëmtuar dhe mund ta kishte mbyllur ndeshjen. Ajeti i ka cilësuar si shpifje lajmet e gazetave në lidhje me këtë temë.
“Më vjen keq që abuzohet në emrin tim, e vërteta është që nuk isha në gjendjen fizike optimale, ndieja dhimbje në pulpë dhe trajneri e dinte këtë gjë. Në dy raste hyri mjeku në fushë për të parë se si ishte gjendja ime. Është shumë e vështirë për një lojtar të dalë jashtë fushe në atë moment të një ndeshjeje aq të rëndësishme siç ishte ajo me Francën, por mendoj se ai ishte një zëvendësim i duhur sepse unë nuk isha në gjendjen fizike më të mirë dhe mendoj se ndërrimi në ato momente ishte vendimi i saktë që mund të merrte trajneri”.
Ai foli për një raport të shkëlqyer mes tij dhe trajnerit De Biazi.
“Kam një raport shumë të mirë me trajnerin De Biasi. Që nga periudha që jam bërë pjesë e kombëtares ai më ka ndihmuar shumë. Më ka grumbulluar në ekipin përfaqësueses edhe kur isha pa skuadër. I kam shumë borxh trajnerit sepse më ka ndimuar edhe për të gjetur një klub të ri por edhe për t’u zhvilluar si futbollist, e falenderoj shumë trajnerin De Biasi”.
E ardhmja e Arlind Ajetit është kthyer në një temë dite në mediat sportive. Shumë klube nga kampionatet më të rëndësishme në Europë, kanë shfaqur interes për të, por dëshira e 22-vjecarit është të vazhdojë të jetë pjesë e Serisë A italiane.
“Menaxheri im është në bisedime me disa klube, pas kampionatit europianin në drejtimin tim kanë ardhur shumë oferta. Nuk kam vendosur ende se ku do të luaj sepse ndodhemi akoma në fazë bisedimesh, më shumë sesa unë me këto cështje merret menaxheri im dhe babai. Dëshira ime parësore, është të gjej një skuadër ku mund të luaj dhe mund të zhvillohem akoma si futbollist. 6 muajt e fundit në Itali jam rritur shumë si lojtar, dhe dëshiroj të qëndroj në Serinë A italiane”.
Ajeti foli edhe për merkaton verore, ku kërkohet nga shumë klube europiane.
“Kampionati italian gjatë këtyre 6 muajve më ka pëlqyer shumë. Atjet niveli i futbollit është shumë më i lartë sesa në Zvicër. Jam përmirësuar si lojtar në Serinë A dhe kam mësuar shumë gjëra nga ky kampionat, dhe mendoj që të vazhdoj të jem pjesë e futbollit italian. Po kam oferta edhe nga Anglia dhe disa vende të tjera”, ka përfunduar qendërmbrojtësi për "supersport".
[gallery columns="1" size="full" ids="10298"]