Në Vlorë duket se situata nuk paraqitet aspak e qetë pas rezultateve negative të arritura javët e fundit në kampionat. Sikurse ishte paralajmërur nga vetë drejtuesit e klubit, dje, në orën 16:00 është zhvilluar një mbledhje e cila është drejtuar nga sdministratori, Sinan Idrizi.
Sigurisht tonet nuk kanë qenë shumë të buta nisur nga fakti që rënia e rezultateve ka qenë drastike në fazën e tretë të kampionatit, duke u nisur nga ecuria pozitive në dy fazat e para. Idrizi ka konfirmuar trajnerin, Shpëtim Duro në krye të ekipit, duke bërë përgjegjës të gjithë, përfshi dhe lojtarët për rezultatet negative të fazës së tretë.
"Nuk do presim koka, por duhet që të mbani të gjithë përgjegjësi. Ju e keni vetë në dorë që ta ndryshoni këtë situatë. Kërkoj që këtë gjë ta bëni në dy ndeshjet e radhës", kanë qenë fjalët e Idrizit, që ka lënë të kuptohet se Flamurtari duhet të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë gjysmëfinales së Kupës ndaj Skënderbeut dhe më pas në kampionat, po ndaj korçarëve.